Borrell: Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, ne e përkrahim

Në Bruksel po qëndrojnë gjashtë ministrat e Punëve të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosova, të cilët janë ftuar që të marrin pjesë në një drekë jo formale për herë të parë me ftesën e shefit të diplomacisë të BE’së, Josep Borrell e ku pjesë e këtij takimi janë edhe kryediplomatët e BE’së. Pas darkës, Borrell ka mbajtur konferencë për shtyp ku ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë takim ndër të tjera siç kishte njoftuar Borrell do të bisedohej për Ballkanin Perëndimor dhe për ndikimin e luftës në këtë rajon si dhe krizën ekonomike.

Pas takimit të zhvilluar mes kryediplomatëve, Borrell doli në një konferencë për shtyp, ku tregoi se për çka u bisedua.

Fillimisht foli për propagandën e madhe ruse që ka kapluar Ballkanin Perëndimor dhe për rrezikun me të cilin ballafaqohen shtetet të cilat tashmë konsiderohen “jo miqësore” nga ana e Rusisë.

“Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës dhe i kanë vendosur Rusisë sanksione, përpos njërës”, tha Borrell, duke e thumbuar Serbinë për mosveprimin e tyre në këtë çështje.

“Kosova as që pati nevojë t’i vendoste sanksione Rusisë, pasi që ka shtete të BE’së që nuk e njohin pavarësinë e saj, por ajo e bëri një gjë të tillë”, tha kryediplomati i BE’së.

Borrell tregoi përsëri që Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se një gjë e tillë duhet të bëhet sa më parë.

“Komisioni Europian, pjesë e të cilit jam edhe vetë, disa herë ia ka paraqitur Këshillit Europian se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Ne e përkrahim liberalizimin e vizave”, tha spanjolli.

Ai theksoi po ashtu se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të rrezikuara nga Rusia, e për këtë duhet që të veprojë BE’ja, duke hapur menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.