Menaxheri i një dyqani në Kosovë arrestohet, dyshohet se me kartela të klientëve bleu kriptovaluta

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi nën dyshimin se ka kryer krime kibernetike.
Ai dyshohet se u ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare klientëve dhe më pas nëpërmjet kartelave të tyre ka blerë kriptovaluta.

Personi i dyshuar punonte si menaxher në një dyqan. Dëmi që u shkaktoi klientëve ishte mijëra euro.
“Personi tani më i arrestuar dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, kishte vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave”, thuhet nga Policia e Kosovës.

“Në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, raportohet nga Policia.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.