Çinari dhe kureshtari



Çinarin e Marashit me kureshtje vështroj,
në trungun e tij të lashtë histori lexoj.

E ashtu në heshtje më duket se më thotë:
“Edhe unë kam qenë i ri, mos më shiko sot.
Kyt trung që ti e sheh, filiz ka qenë dikur,
e sot jam plakë me gunga e neje thur.
E tash si në harresë njerëzit më kanë lanë,
e qasja jote fort çudi po më ban!

Meqë je kureshtar dy fjalë po t’i them,
për shujtje të kureshtjes, jo për hallin tem:
A e sheh kyt lum që nga Sharri buron,
edhe ky me rrjedhën e tij kohën e shënon.

Kur pranë tij me ra të jetoj,
në heshtje më tha nuk të lëndoj.
Në rrjedhën e tij lumi vazhdon,
çdo valë e tij më saluton.

Në udhëtim të përbashkët asht lumi e ky vend,
banorët e hershëm e qujtën Prizren.

Dikur ma vonë dikush më pruni,
historia ime ktu fill nxuni!

Sikur lumi m’u duk se më tha,
në jetën tande shumë ke për të pa….

Rrodhën ditë, javë, muaj e shekuj…
erdhën e shkun…me vëmendje i kam ndjekur.

Çdo gja erdhi u zhduk e venit,
derisa erdhi kandili me dritë:
Kur në kto troje Islami arriti,
ky mjedis paqësor trupin tim rriti!

Shumë halle e derte ky vend ka kalu,
që të jetë i qetë gjithmonë kam uru!

E ti o kalimtar që ktu të ra me kalu,
mirënjohës të jam që pak çaste kalove me mu!
Vazhdoje udhëtimin me synin kureshtar,
edhe ti si unë, e lumi, jemi shtegtar;
Kudo të shkelësh të uroj rrugë të mbarë!”

Në qetësinë e tij kshtu rrapi tha,
lumi ndigjoi, por me u ndal kohë nuk ka!

Eh, kshtu asht jeta sikur më thanë,
kush asht i zoti ndonji gjurmë me lanë!

Këtu pranë lumit, jo larg çinarit,
u shkrun kto vargje,
prej Burhan shtegtarit.

Burhan Fili

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.