Doli në pension imami i xhamisë qendrore të Prizrenit, Gazi Mehmet Pasha (Bajrakli) mulla Reshat ef. Mexhiti

Me 2 prill 2024 imami i xhamisë qendrore të Prizrenit, Gazi Mehmet Pasha (Bajrakli) mulla Reshat ef. Mexhiti i mbushi 65 vjet, dhe sipas normativës ligjore në fuqi të Republikës së Kosovës i plotësoi kushtet për dalje në pension.

Imami Reshat Mexhit u lind më 2 prill 1959 në fshatin Kuklibeg (treva e Opojës), komuna e Dragashit. Pas kryerjes së shkollës fillore , u regjistrua në Medresenë e Mesme Alaudin në Prishtinë në vitin 1974 dhe pas 5 vite ndjekjeje të mësimit të rregullt me sukses e përfundoi në vitin 1979. Pas kësaj u regjistrua në Universitetin e Al Az’harit në Kajro të Egjiptit, në degën e Tefsirit, në të cilin përfundoi studimet me sukses në Qershor të vitit 1985.
Pas kryerjes së studimeve kryen shërbimin ushtarak asokohe të obliguar në ushtrinë jugosllave që nga 16 Janari 1986 e gjer me 03 Janar 1987 në republikën e Maqedonisë së atëhershme në Manastir dhe Tetovë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak kthehet në Prizren për të i shërbyer vendit dhe fesë dhe me 01 Shkurt të vitit 1987 fillon punën si imam ku u emërua në xhaminë qendrore të Prizrenit, atë të Gazi Mehmed Pashës (Bajraklisë), në të cilën shërbeu plot 37 vite pa ndërprerë gjer në pensionimin e tij me 02 Prill 2024. Njëherit krahas punës si imam ishte edhe mësimdhënës i rregullt në Medresenë Alaudin – Paralelja e ndarë në Prizren që nga themelimi i saj e gjer në pensionim. Shërbeu plot 30 vite si mësimdhënës në lëndën e Kur’nit dhe Tefsirit që nga viti shkollor 1993/94 e gjer në ditën e pensionimit me 02 Prill 2024. Ku pos tjerash ishte edhe një ndër kujdestarët e mirëmbajtjes së saj nga aspekti infrastrukturor i objektit të shkollës falë përkrahjës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren dhe xhematlinjëve bujarë Prizrenas që nuk kursyen ndihmën e tyre sa herë që imami kërkonte prej tyre. Krahas kësaj ushtroi edhe funksione tjera në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishte koordinator (drejtor) i paraleles së Medresesë Alaudin në Prizren, prej vitit 2011 e gjer në vitin 2016. Po ashtu ushtroi edhe detyrën si Kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren prej 18. Prill 1994 e gjer në Janar të vitit 1997. Ka qenë edhe anëtarë i kryesisë se Bashkësisë Islame të Kosovës që nga viti 1992 e gjer në vitin 2000 në periudhën me delikate të vendit – para luftës, pastaj përsëri zgjidhet anëtarë i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës nga viti2008 gjer në vitin 2023 ku dhe në momente te caktuara sipas urdhrit të myftiut ke bërë edhe zëvendësimin e tij si zëvendës kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (zëvendës i Myftiut të Kosovës).

Në xhaminë e Bajraklisë ku ushtroi pozitën e imamit plot 37 vjet do të mbetet në kujtim si imam i cili më së gjati qëndroi në pozitën e imamit me kohëzgjatje 37 vite në 100 vjetët e fundit të xhamisë së Bajraklisë në Prizren. Për gjatë shërbimit të tij si imam në xhami ka pasur fatin që të ishte edhe shumë herë udhëheqës i haxhinjëve në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës ku një nga këto udhëtime të haxhit e destinoi për të bërë haxhin bedel për ndërtuesin e xhamisë në të cilën shërbeu, pra për Gazi Mehmed Pasha – Haxhi Gazi Mehmed Pasha, Zoti e shpërbleftë këtë njëri për këtë vepër kolosale që i la Prizrenit tonë të bukur që akoma më shumë i shtohet bukuria dhe vlera historike qytetit tonë dhe kësaj xhami sepse në të u vendos fati i kombit tonë dhe trojeve tona shqiptare. Do të mbetet në kujtim edhe si imam me një disiplinë dhe vetëbesim të rregullt i cili që nga marrja e kësaj detyre në xhaminë e Bajraklisë qëndroi stoik fare pa ndryshuar gjer në ditën e pensionimit të tij. Një karakteristikë tjetër e mulla Reshat ef. Mexhitit ishte se ka qenë i përpiktë në faljen dhe udhëheqjen e namazeve dhe në veçanti në namazin e sabahut në xhami gjë që nuk mbahet mend që ndonjë herë ta e këtë zënë gjumi në dyshekun e ti ë fjetjes në shtëpi e që të mos këtë qenë prezent në xhami me xhematë nga pas lufta e këndej në këto njëzet e tre vitet e këtij mileniumi të ri e gjer me sot.

Merita e veçantë e tij ishte se gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ka udhëhequr punimet në restaurimin dhe renovimin e tërësishëm të xhamisë dhe oborrit të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në Prizren, dhe i cili edhe pas përfundimit të kësaj gjer në ditën e fundit të pensionimit e ka mirëmbajtur dhe menaxhuar dhe ishte edhe një përkujdesës i mrekullueshëm për xhaminë në mirëmbajtjen e saj, pastrimin, rregullimin e oborrit dhe gjelbërimit të tij si dhe për nyjet sanitare pa përtesë dhe me plot vullnet ka punuar për të gjitha nevojat teknike dhe infrastrukturore të xhamisë së Bajraklisë.

Krahas kësaj ka mbajt edhe mësim besimin që nga ditët e para të punësimit të tij me fëmijë dhe të rriturit në xhami, ashtu që do të mbetet në kujtim të veçantë të gjeneratës së të rriturve që kanë ndjekur mësim besimin, përveç tjerash edhe mësimi përmendësh i sures (kapitullit) Jasin të Kur’anit Famëlart.

Në fund të këtij përshkrimi për imamin e xhamisë së Bajraklisë. mulla Reshat ef. Mexhit, nuk mbetet gjë tjetër, veç se t’i dëshiroj të ketë shëndet , ndërsa ymrin e ka të përcaktuar paraprakisht prej Allahut fuqiplotë sa do të jetojë!

Av. Haxhi Faik Miftari Prizren

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.