E mitura lind fëmijë nga bashkëjetesa me një 44-vjeçar në Prizren, Prokuroria nis hetimet

Numri i rasteve të shtatzënive te vajzat e mitura në vendin tonë, sa vjen e bëhet më shqetësues. Kjo pasi nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohen nga spitalet për të miturat që dërgohen në institucionet shëndetësore për të kryer lindjen, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur dje, ku një 15-vjeçare ishte dërguar nga familjarët e saj në repartin e Gjinekologjisë në spitalin rajonal të Prizrenit, për të kryer lindjen e një fëmije.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Klinika ka njoftuar Policinë, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë një deklaratë edhe nga personi me të cilin bashkëjeton e mitura.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia përmes një komunikate për media, ku theksohet se e mitura po bashkëjetonte me një person me diferencë të madhe të moshë.

“Patrulla policore dhe hetuesit kanë shkuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit , prej nga kanë marrë informacion se e mitura ka qenë në duke jetuar në fshatin Metvecë, në bashkësi jashtë martesore më një person të rritur me një diferencë të madhe në moshë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë Sinjali mëson se mosha e partnerit të 15-vjeçares është hiç më pak se 44-vjeç, çka e bën edhe më shqetësues të gjithë rastin.

Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.