Haxhiu: Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas pjesëmarrjes në Mbledhjen Plenare të Komisionit të Venecias, bën të ditur se ka marrë mbështetje nga ky komision për reformimin e sistemit prokurorial të Kosovës.

Haxhiu, në rrjetin social Facebook ka shkruar se në përgjigjen e kërkesës së dikasterit që drejton Komisioni i Venecias ka konfirmuar nevojë për reformim të Këshillit Prokurorial.

“Sapo dolëm nga takimi në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias ku u diskutua nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndryshimet në këtë projektligj janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026, e cila tashmë ka filluar të zbatohet. Në përgjigje të kërkesës tonë, Komisioni i Venecias konfirmoi nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial dhe ofron rekomandime specifike për plotësimin e mëtejshëm të projekt-ligjit, për të siguruar përfaqësim të balancuar”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Sipas Haxhiut, reforma në sistemin prokurorial do të bëhet në përputhje me standardet vendore kushtetuese dhe me rekomandimet e komisionit të Venecias.

“I mirëpresim këto rekomandime. Grupi Punues do të vijojë punën në projekt-ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në përputhje me rekomandimet në fjalë. Reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.