Kryetari Totaj takohet me artistët me rastin e Festivaliit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur

Me 27 Mars, në Ditën e Teatrit u themelua Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, i cili do të organizohet nga artistët në partneritet me Komunën e Prizrenit, gjegjësisht me përkrahjen e kryetarit, Shaqir Totaj.
Ky festival u themelua nga artistët: Shkëlzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku dhe do të mbahet në fund të muajit Korrik dhe në filllim të muajit Gusht, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Në Prizren do të nis festival i veçantë i teatrit, ashtu siç është unik edhe vet qyteti i Prizrenit, i cili si për nga natyra ashtu edhe për nga programi do të jetë aktivitet teatror unik në rajon dhe më gjerë. Festivali synon të bëjë bashkë teatro e trupa teatrore nga vendi, rajoni dhe evropa.
Shtrirja e aktiviteteve do të bëhet në gjithë qytetin, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e përshtatshme që janë në dispozicion në Prizren, përshirë hapësirat publike dhe private si: Kalaja e Prizrenit, Hamami, Kino Lumbardhi, Lidhja e Prizrenit, Xhamitë, Kishat, Teqet, Ura e gurit, Teatri Qytetit, Kino Bistrica, si edhe sheshe të qytetit.
Prizreni është vatër e trashëgimisë së pasur kulturore dhe shpirtërore, ndërthur në vete kultura të etnive të ndryshme dhe diversiteti kulturor është simbol i tij. Prizrenit tashmë do ti shtohet dhe një festival, një ngjarje artistike e kulturore e paharrueshme, FESTIVALI TEATRIT do të organizohet për herë të parë në verë të këtij viti.