Kurti dhe Scholz takohen në Berlin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Kongresin e 30-të jubilar të Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022.

Gjatë qëndrimit njëditor në Berlin, Kryeministri Kurti mori pjesë në asamblenë e kongresit, takoi liderë dhe politikanë të tjerë socialdemokratë, si dhe mori pjesë në darkën e përbashkët.

Me Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri Kurti bisedoi për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për çështjet aktuale.

Kryeministri i uroi z.Stefan Löfven për pozitën e re si President i Partisë së Socialistëve Evropianë, kurse e falënderoi z.Sergei Stanischew për kontributin e tij si President i deritanishëm i PSE.

Në takimin me z.Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane, u bisedua për vëmendjen e shtuar të Gjermanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.

Në përmbyllje, kryeministri mori pjesë në darkën e liderëve, ku me një fjalë rasti iu drejtua krerëve shtetëror, komisionerëve evropianë, udhëheqësve të partive dhe përfaqësuesve të tjerë pjesëmarrës.

Në këtë kongres të partive socialdemokrate, u diskutua për politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë./IndeksOnline

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.