Kurti kujton 30-vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 30 vjetorin nga sulmi i parë i forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz.Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën.

“Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz. Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë. Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen. Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet.

Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.
Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme”, thotë Kurti.

Ndryshe, sot janë bërë 30 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes Jashari në Prekaz.
Pas një rezistence të fuqishme të familjes Jashari, forcat serbe u detyruan të tërhiqen.
Në sulmin e dytë ndaj familjes Jashari më 22 janar 1998, dy persona nga kjo familje u plagosën.
Më 5 mars 1998, forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë. Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.