Kurti: Nga unë nuk do ta dëgjoni parullën “Bac u kry”, aspirata është bashkimi kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është ëndrra historike e popullit të saj, është ideali i shumë gjeneratave të dëshmorëve përgjatë 87 viteve nën pushtimin serb e jugosllav në shekullin XX.

Sipas tij, “aspirata kombëtare e shqiptarëve, që kanë qenë gjithnjë shumicë e madhe në Kosovë, ka qenë vetëvendosja demokratike dhe bashkimi me shtetin tjetër të shqiptarëve, Shqipërinë”.

“Ky ka qenë edhe betimi i ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshira e heronjve, që nga Shaban Polluzha e deri te Adem Jashari. Në këtë aspekt, natyrisht, nuk mund të thuhet se ideali është përmbushur. Por nga ana tjetër, historia na vendos edhe një imperativ tjetër. Përgjatë një shekulli të vetëm shqiptarët janë rrudhur në shtrirjen e tyre gjeografike, nga rreth 90.000 km2 ku ata jetonin, deri në vitet 1870, sot ata jetojnë në gjysmën e asaj hapësire”, tha ai në një intervistë të dhënë për revistën “Shenja”.

Kurti tha se ai nuk do ta dëgjoni kurrë parullën ‘Bac u Kry”, pasi “përpjekja për rritjen e forcimin e Kosovës në të gjitha aspektet, nuk bën të ndalen, kurrë”.

“Janë spastruar prej sanxhakut të Nishit e të Leskocit, prej Toplicës e Vranjës. Po ashtu, janë spastruar prej Çamërisë apo edhe prej shumë pjesëve ku jetonin në vilajetin e Manastirit. Pra, imperativi tjetër me të cilin ballafaqohet secili politikan me ideale kombëtare sot është që në asnjë mënyrë të mos lejohet zvogëlimi i mëtejshëm i sipërfaqes sonë. Sigurisht, kërkesa të kohës sonë janë edhe demokracia, zhvillimi arsimor e kulturor, rritja ekonomike dhe ajo e mirëqenies”, shtoi ai.

“Mendoj se këto të gjitha përbëjnë vizionin tim për Kosovën. Për këto punojmë. A janë realizuar dëshirat tona? Jo, sepse po të qe ashtu, do të duhej të ndalej puna e përpjekja e të pushonim të gjithë. Nga unë nuk do ta dëgjoni kurrë parullën “Bac u kry!”. Por do të dëgjoni vazhdimisht thirrje që të punohet më shumë e të përpiqemi më shumë. Puna e përpjekja për rritjen e forcimin e Kosovës në të gjitha aspektet, nuk bën të ndalen, kurrë”, theksoi Kurti.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.