Lëndohen dy punëtorë në vendin e punës në Prizren, dërgohen me urgjencë në spital

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët, raporton Gazeta Sinjali.

Dy punëtorë kanë pësuar në spital mëngjesin e sotëm ndëkohë që po kryenin punë ndërtimore në rrugën ‘Afrim Bytyqi’ në Prizren.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal të Prizrenit kanë bërë me dije se dy punëtorët janë dërguar atje, me ç’rast njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e frakturës në këmbë, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime në bark.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë, mirëpo njëri nga ta është hospitalizuar për të vazhduar trajtimin mjekësor të mëtutjeshëm nën përkujdesjen e mjekëve.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Punës dhe të njëjtit kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Sinjali mëson se viktimat dyshohet se kanë rënë nga një lartësi, teksa po punonin në një shtëpi private.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.