Martesat në mes të gjinisë së, reagon Bashkësia Islame e Kosovës: “Nëse Kuvendi i Kosovës miraton Kodin e ri Civil si të tillë, duhet ta dijë se po rrezikon familjen dhe shoqërinë”.

Sot në të gjitha xhamitë e Kosovës është lexuar Hutbeja e Xhumasë ku është potencuar rëndësia e familjes në Kosovë e në veçanti rreth iniciativës së Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Kodin e ri civil ku mundësohet martesa mes gjinisë së njëjtë.
Më poshtë mund ta lexoni tekstin e plotë të Hutbes së sotme:

“Besimtarë të nderuar!
Falënderojmë Allahun fuqiplotë që me mëshirën e Tij bëri familjen formë të parë të zanafillës
së njerëzimit, bërthamë të shoqërisë dhe djep të lumturisë, për faktin se vet gjinia njerëzore
filloi prej familjes, prej burrit dhe gruas, prej dy bashkëshortëve, prej hazreti Ademit dhe
Havasë.
Salavatet e selamet tona qofshin për më të dashurin tonë Muhamed Mustafanë, familjarin më
të përkushtuar e më të mirë të njerëzisë, i cili gjatë gjithë jetës së tij i kishte kushtuar rëndësi të
veçantë familjes.
Në çdo vendim dhe përcaktim të Allahut xh.sh. ka një urtësi, e edhe zhvillimi i gjinisë njerëzore
nga një familje, gjegjësisht familja e Ademit a.s. – babait të njerëzimit, tregon për urtësinë e
Zotit në theksimin e vlerës dhe pozitës së familjes.
Së këndejmi, jo vetëm Islami që familjes i ka kushtuar rëndësi të veçantë, por nuk ka fe
monotoiste që në fokus nuk e ka pasur dhe nuk e ka familjen, për shkak të objektivave të cilat
synohen të arrihen nëpërmjet saj.
Feja Islame kërkon nga ne që familjes t’i ruhet origjinaliteti dhe shëndoshmëria, respektivisht
t’i përmbahet natyrës së pastër dhe të orientohet sipas udhëzimeve të Zotit xh.sh..
Vëllezër myslimanë!
Nga perspektiva islame, familja ka një rëndësi të shumëanshme.
Ajo është strehë shpirtërore, është vend ku pushon shpirti dhe qetësohet mendja. Nga ky
prizëm, Islami krijimin e bashkëshortes, si njërin prej dy themeluesve të familjes, e sheh si
tregues të ekzistimit të Zotit. Në Kur’an, në kaptinën Rrum, ajeti 21, Allahu xh.sh., na thotë:
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të
qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në
këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”
Këtu mbase fshihet urtësia se pse Pejgamberi a.s. bashkëshorten e ndershme e ka konsideruar
si begatinë më të mirë në këtë botë, sikur që na ka mësuar se ajo është një prej faktorëve të
lumturisë në jetë.
Rëndësi tjetër e familjes është roli i saj në ruajtjen e llojit njerëzor. Krijuesi fuqiplotë dhe
gjithëditur ka caktuar që raca njerëzore të shumohet nëpërmjet martesës, pra bashkimit të
mashkullit me femrën dhe lindjes së pasardhësve.
Në Kur’an, Allahu xh.sh., na thotë:
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi
bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra…” [Nisa: 1]
Të dashur besimtarë ,
Feja islame na mëson se familja është edhe strehë e nderit dhe moralit, prandaj edhe na ka
nxitur për martesë, si një mënyrë më efikase e ruajtjes nga rënia në mëkate.
“Kush ka mundësi materiale për tu martuar le të martohet, sepse martesa ruan shikimin dhe
nderin nga mëkatet.” – na ka mësuar Pejgamberi Muhamed a.s.
Martesa është dhe traditë e të gjithë pejgamberëve të Zotit. Pejgamberi Muhamed a.s., ka
porositur: “Martesa është pjesë e traditës sime, e kush nuk vepron sipas traditës sime – nuk më
përket mua…”
Ska dyshim se ikja nga kjo traditë profetike nuk është e rruga e duhur e myslimanit, sepse
Islami ka ndaluar murgërinë dhe forma tjera të ngjashme për të ikur nga martesa, respektivisht
nga themelimi i familjes, kësaj strehe morale.
Roli i familjes është pazëvendësueshëm edhe në aspektin e edukimit. Vetëm në familje të
shëndoshë e me vlera, pasardhësit edukohen në mënyrë të virtytshme e me dinjitet.
Në familje mësohet nderi, respekti, dashuria, mirësjellja e mikpritja. Aty orientohen për jetën.
Se çfarë bindjesh e idesh do të kenë fëmijët, varet nga ajo çfarë kanë mësuar e marrë në familje.
Familja ka edhe rëndësinë e madhe shoqërore, sepse nëpërmjet saj bëhet lidhja, jo vetëm
ndërmjet anëtarëve të familjes por edhe ndërmjet farefisit e miqësisë.
Allahu xh.sh., thotë:
“Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga
martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.” [Furkan: 54]
Xhematlinj të nderuar!
Me lejoni në vazhdim të përmend disa nga kriteret bazë që duhet plotësuar një familje për të
qenë e shëndoshë dhe e dobishme:
1) Themelimi i familjes nga mashkulli dhe femra. Familje quhet ajo që themelohet nga
burri dhe gruaja. Kështu e ka krijuar Allahu xh.sh. njerëzimin dhe kështu ka caktuar që
të jetë shumimi i tyre. Ruajtja e llojit njerëzor nuk mund të bëhet nga lidhje tjera.
Allahu xh.sh., thotë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju
bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin…” [Huxhurat: 13]
Martesa fetarisht nuk mund të ndodhë ndërmjet mashkullit me mashkull apo femrës me
femër.
2) Përzgjedhja e partnerit bashkëshortor mbi baza të vlerave morale e fetare. Një familje
mund të jetë e shëndoshë vetëm nëse themeluesit e saj, burri dhe gruaja, janë të
moralshëm dhe virtytshëm. Muhamedi a.s na ka mësuar qartë kriteret e përzgjedhjes së
bashkëshortit apo bashkëshortes bazuar në: nderin, pasurinë, bukurinë dhe fenë, derisa
feja është përcaktuesi kryesor.
3) Martesa është shenjë e Zotit, është ‘besë e fortë’ që mashkulli jep për nderimin e femrës,
është dashuri dhe respekt, është trajtim me dinjitet, është raport i ndërsjellë, ku të dyja
palët janë kontribuuese dhe përfituese e kësaj foleje.
Për këtë të fundit Kur’ani na mëson:
“…Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra…” [Bekare: 228]
Vëllezër besimtarë!
Kohëve të fundit është diskutuar për Projektin e Kodit të ri Civil të Republikës së Kosovës, ku
parashihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë.
Me këtë rast edhe njëherë Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga institucionet e vendit ta
rishikojnë këtë draftligj i cili cenon themelet dhe shenjtërinë e familjes, si dhe atakon vlerat
tona morale e familjare të popullit tonë. Nëse Kuvendi i Kosovës miraton Kodin e ri Civil si
të tillë, duhet ta dijnë se kështu po rrezikojnë familjen dhe vazhdimësinë e llojit njerëzor.
Ne si besimtarë, gjithmonë do të jemi ne mbrojtje te parimeve tona fetare dhe vlerave të fesë
tonë të pastër që familjen e konsiderojnë të shenjtë e të paprekshme .
Lusim Zotin Fuqiplotë t’na udhëzojë në punë të hajrit dhe të na drejtojë në rrugën e tij të pastër”, thuhet në Hutben e Xhumasë që është lexuar në të gjitha Xhamitē e Republikës së Kosovës sot.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.