Ministria e Çekut jep rreth 800 mijë euro për spote televizive dhe Qendrës Hebraike në Prizren 547,000 euro, tejkalon vlerën e kontratës kundërligjshëm

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS), e udhëhequr nga ministri Hajrullah Çeku, për spote televizive tejkalon vlerën e kontratës mbi vlerën e lejuar ligjore me mbi 30 për qind.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit për MKRS-ën, kishte gjetur se në nenin 2 të i kontratës kornizë datë 22.02.2021 thekson “Vlera totale e parashikuar (indikative) e kontratës është 600,000 euro.

Ndërsa çmimi i ofertës për njësi me TVSH pa peshim është në shumën prej 20,502 euro. Derivimi i lejuar nga vlera totale e parashikuar (indikative) është plus/minus tridhjetë përqind (30%).

“Te kontrata kornizë “Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së” në vlerë 600,000 euro e nënshkruar më datë 22.01.2021, tejkalimet mbi nivelin e lejuar (mbi +30%) ishin 2.7%, apo shprehur në vlerë monetare 16,235 euro. Shpenzimet e realizuara gjithsejtë për këtë kontratë ishin 796,235 euro”, thuhet në raport.

Auditori kishte vënë në pah se kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve nga menaxheri i kontratës gjatë realizimit të kontratës kornizë. Ndikimi Monitorimi jo i duhur në menaxhimin e kontratës, duke pranuar shërbime/furnizime ka ndikuar në tejkalim të limiteve të lejuara me kontratë, po ashtu ky tejkalim ndikon në kufizimin e konkurrueshmërisë dhe transparencën lidhur me shpenzimin e fondeve publike.

Parregullsi nga auditori ishin gjetur edhe në shumë procedura tjera me shumë mangësi ligjore. Kryesisht procedura tenderuese duke e shkelur ligjin janë identifikuar në projektet në Komunën e Prizrenit.

“Në testimin e tre procedurave tenderuese kemi hasur mangësi në përmbushjen e kërkesave ligjore, si në vijim: Te projekti për intervenime emergjente në Qendrën Kulturore Hebraike në Prizren në vlerë 547,554.34 euro mungonte plani i menaxhimiit të kontratës; Te projekti për masat preventive-intervenimet emergjente regjioni i Prizrenit në vlerë 337,463 euro mungonte plani i menaxhimit të kontratës. Vlerësimi i tenderit ishte zgjatur për më shumë se dy muaj edhe pse është konsideruar si rast emergjent. Për këtë kontratë (e datës 31.03.2022) siguria e ekzekutimit ishte ofruar vetëm për 30 ditë ndërsa kontrata kishte kohëzgjatje 6 muaj, në anën tjetër zotimi i mjeteve nuk mbulon vlerën e kontratës pasi janë zotuar mjete vetëm 280,000 euro.

Po ashtu, nuk kishte dëshmi që menaxheri i projektit i emëruar nga operatori ekonomik kishte pranuar punët gjatë ekzekutimit; dhe Te projekti për intervenime emergjente në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës-Prizren, në shtëpinë e familjes Lokvica në Prizren dhe hamamin e qytetit në Mitrovicë, në vlerë 342,899 euro (me datë 15.04.2022) mungonte plani për menaxhimin e kontratës, raporti i vlerësimit ishte i nënshkruar nga komisioni mirëpo nuk ishte i plotësuar për përmbushjen e kritereve.

Në anën tjetër, zotimi i mjeteve nuk mbulonte vlerën e kontratës pasi janë zotuar vetëm mjete në vlerë 210,000 euro. Për projektin në fjalë nuk kishte dëshmi për zhvillim të negociatave. Kjo ka ndodh për shkak të kontrolleve të dobëta gjatë gjithë procedurave/proceseve për këto aktivitete duke u arsyetuar se këto ishin raste emergjente”, thuhet në raportin e auditimit.

Për këto parregullsi auditori i ka rekomanduar ministrisë që të forcojë kontrollet e brendshme dhe nga zyrtarët përgjegjës në procese të tenderimit të kërkojë zbatim të plotë të procedurave dhe kërkesave për çdo kontratë publike të nënshkruar bazuar në kërkesat ligjore.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.