Operacion antidrogë në Malishevë: Policia ia gjen 41-vjeçarit afër 3 mijë bimë narkotike, tenton të arratiset

Një 41-vjeçar nga fshati Lladrovc i komunës së Malishevës ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pasi që i njëjti është gjetur duke kultivuar një sasi të madhe të bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se mbrëmë pas mesnate, njësitet policore kanë kryer operacionin i cili erdhi pas hetimit me masa të fshehta, ku gjetën dhe sekuestruan afër 3 mijë bimë narkotike Kanabis Sativa me gjatësi 50 deri në 120 cm.

Në vendin e ngjarjes ata kanë vërejtur edhe personin e dyshuar, i cili me të parë Policinë kishte arritur që të ikë nga vendi i ngjarjes. Por ai ishte kapur nga patrulla policore e Malishevës pak më larg lokacionit ku po kryhej operacioni, duke përfunduar kështu në arrest.
Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit dhe pronat tjera të tij, ku edhe në afërsi të shtëpisë së tij është gjetur sasi e bimëve narkotike të cilat po kultivoheshin nga 41-vjeçari.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intevristim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 41-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu prokurori ka urdhëruar që bimët e sekuestruara të asgjësohen me anë të djegies, ndërsa disa bimë janë marrë për ekzaminim.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.