Osmani në takim me Macronin dhe Scholzin: Tregova cilat janë vijat e kuqe të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në takimin që e pati me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka treguar se cilat janë vijat e kuqe të Kosovës.

Ajo, në një konferencë për media gjatë Samitit të Pragës, ka theksuar se është shumë me rëndësi se dy liderë të tillë angazhohen dhe përkushtohen që dialogu të ecë para.

“Aty në radhë të parë kam ngritur çështjen e shtyrjes përpara të liberalizimit të vizave dhe së dyti çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Si dy tema që duhet të shtyhen domosdoshmërisht përpara, në mënyrë që Kosova të ketë progres konkret, pastaj natyrisht kemi diskutuar edhe për dialogun”.

“Ju e dini që Franca dhe Gjermania në nivelet më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut dhe natyrisht ne nuk kemi asgjë kundër që të intensifikohen përpjekjet për një zgjidhje. Por si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, para Macronit dhe Scholzit, kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit, kushtetutshmërisë së vendit tonë, parimin e unitaritetit të shtetit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional. Pra të mos lejojmë zgjidhje, të cilat më shumë shkaktojnë probleme sesa sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon”.

“I falënderoj të dy që na dhanë mundësinë që aq në detaje të shpjegojmë pozicionin tonë dhe ekipet e tyre shumë shpejt do të ulen sërish bashkë me ne që të diskutojmë të gjitha temat që folëm sot edhe më në detaje sesa kishim mundësi në këtë takim”, ka thënë Osmani, njofton KlanKosova.tv.

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.