Për 9 muaj mbi pesë mijë patentë shoferë të konfiskuar

Mbi 5 mijë e 500 patentë shoferë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës deri në shtator të këtij viti, ndërsa për të njëjtën periudhë të njëjtit u kanë vendosur pikë negative mbi 13 mijë shoferëve për arsye të shkeljes së rregullave në komunikacion.Policia e Kosovës, në një përgjigje për KP, ka thënë se si ekipe janë duke i vazhduar aktivitetet që i kanë lidhur me sigurinë në trafik.

“Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. Gjatë periudhës kohore Janar deri në Shtator 2021, 5556 shoferëve, iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik, dhe 13 mijë e 532 shoferëve, iu kanë vendosur pikë negative. Apelojmë që të respektohen rregullat në trafikun rrugor, në të kundërtën masa rigoroze ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen për një siguri më të madhe rrugore”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Ekspertët e komunikacionit mbështesin Policinë e Kosovës në aplikimin e këtyre masave të cilat janë të përcaktuara me ligj.
Drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, në një prononcim për KosovaPress u shpreh se kjo metodë, ndonëse nuk mund të jetë zgjidhje afatgjate, por aktualisht shërben për të ndërgjegjësuar drejtuesit e mjeteve.

“Nuk do të thosha që është një zgjidhje e afatgjate, mirëpo është forma e vetme që të vetëdijesohen ngasësit e papërgjegjshëm të automjeteve në trafikun rrugor, për shkak se përveç që e rrezikojnë ata vetën e tyre, ata rrezikojnë edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafikun rrugor. Të gjitha këto janë të rregulluara varësisht prej shkeljes që bëhet, varësisht prej trafikut rrugor dhe prej përsëritjes së këtyre shkeljeve, janë të rregulluara me Ligjin për sigurinë e trafikut dhe është mirë që policia është vënë në ekzekutimin e këtyre dispozitave ligjore thjesht me qëllimin më të mirë që të ofrohet një ambient më i sigurt për të gjithë me qarkullimin rrugor për të gjithë përdoruesit e rrugës”, tha Krasniqi .

Eksperti i komunikacionit rrugor, Bekim Ahmeti, thotë se lejet e qarkullimit merren në rast të tejkalimit të shpejtësisë, të vijave të bardha dhe të mosrespektimit të semaforit.
Ai mendon se numri i patentë shoferëve që merren nga policia është i pakët në raport me situatën në rrugët e vendit.

“Pak janë duke i marrë se çka duhet në raport me atë edhe gjendjen e komunikacionit që e kemi momentalisht. Policia zakonisht i merr patentë shoferët se është masë preventive mbi Ligjin e sigurisë në komunikacion për shkelësit e rregullave të komunikacionit atëherë kur e shkelin kufizimin e shpejtësisë, vijën e bardhë, semaforët dhe raste të tjera… Po varësisht prej rastit, te kufizimi i shpejtësisë në qoftë se kufizimi i shpejtësisë shkelet me normë të caktuar, në qoftë se ka qenë 60 km në orë dhe tash shkelet 80 ose 100 në këto raste merret patentë shoferi, te rasti i vijës së plotë edhe në rastin kur kemi hyrje në semaforin e kuq atëherë policia e merr patentë shoferin për një afat të caktuar kohor prej 3 muaj, d.m.th edhe me largim të pikëve rezulton edhe me dënim të gjobës prej 300 eurove ku si rezultat i kësaj bëhet një preventiv për shkelësit e ligjit dhe të komunikacionit”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat, ndërsa në kohën aktuale t’i përshtaten edhe kushteve të rrugës.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.