Prokurori prizrenas tërhoqi aktakuzën për 130 kg marihuanë pak ditë para pensionimit

Prokurori tërhoqi aktakuzën për 130 kg marihuanë pak ditë para pensionimit

Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Metush Biraj, e ka tërhequr në mars të këtij viti aktakuzën për tentim-transportin e 130 kilogramëve marihuanë, të cilat pretendohej se destinim e kishin Zvicrën. Ish-prokurori e morri këtë vendim pak ditë para se të dilte në pension, pa e konsultuar fare kryeprokurorin e Prizrenit. Në këtë rast, 130 kilogramët marihuanë ishin fshehur në disa dyer, nga dy kompani të ndryshme.

Pak ditë para se të dilte në pension, prokurori Metush Biraj morri një vendim të rëndësishëm, për një prej rasteve të cilin e kishte të caktuar, e me të po merrej për më shumë se 5 vite.

Ai hoqi dorë nga aktakuza në një rast të tentim-transportit të 130 kilogramëve marihuanë.

Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, që vet e ngriti aktakuzën, i kontaktuar nga Rtv Dukagjini, thotë se i munguan provat.

“Arsyet pse jam tërheq nga aktakuza ka qenë në mugesë të provave, kaq mund të them, tung”, ka thënë ish-prokurori, Metush Biraj.

Biraj nuk ka dashur të flas më shumë për rastin.

Ish-prokurori, në fjalën përfundimtare kur edhe kërkoi tërheqjen, tha se për Prokurorinë është i pakontestueshëm fakti se kjo sasi e narkotikëve është transportuar nga Gjakova përmes dy auto-taksive private dhe është fshehur në dyer në dy kompani.

Biraj kishte në dispozicion si prova edhe këto video-incizime të cilat u realizuan përgjatë aksionit.

Sipas aktakuzës, tre persona akuzoheshin se tentuan që këtë sasi të marihuanës ta dërgonin në Zvicër, duke përdorur një linjë të transportit të mallrave. N.O, U.S dhe A.S dyshoheshim se kishin ndërmjetësuar për transportimin e kësaj substance.

Në pamjet e kallxo. com shihet se si ishte tentuar të fshihej marihuana.

Rasti kishte ndodhur më 24 dhe 28 tetor të vitit 2017.

Për heqjen dorë nga akti akuzues, ish-prokurori Biraj nuk e kishte njoftuar fare kryeprokurorin e Prizrenit, Admir Shala.

“Prokurori kompetent e ka vlerësuar dhe ka vendosur personalisht, pa njoftim paraprak të kryeprokurorit. Gjykata pas tërheqjes së prokurorit nga Aktakuza, ka nxjerrë Aktgjykim Refuzues me datë 19.04.2023”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Gzim Shala nga IKD tregon se në prokurori tashmë është krijuar një praktikë ndryshe nga veprimi i Birajt.

“Tanimë është ndërtuar një praktikë në Prokurorinë e Shtetit që për tërheqjen nga aktakuza, veçanërisht në rastet që konsiderohen më të rënda, prokurorët paraprakisht konsultohen me kryeprokurorin e prokurorisë përkatëve”, ka thënë Gzim Shala nga IKD.

E droga në rastin për të cilin ish-prokurori Piraj u tërhoq nga aktakuza, fshihej në këtë mënyrë.

Megjithë tërheqjen e prokurorisë nga aktakuza, të paktën sasia e narkotikëve e kapur në këtë rast, do të asgjësohet.

Prokurori Metush Biraj, ka qenë i njohur edhe më herët për publikun, pasi që ka trajtuar për vite edhe rastin e aktivistit Arbnor Dehari, që ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, para se rasti të bartej në Prokurorinë Speciale./ Telegrafi

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.