Sekuestrohen rreth 28 mijë euro monedha metalike, dyshohet të jenë të falsifikuara

Sot, është iniciuar një rast i ‘falsifikimit të parasë’ fillimisht është trajtuar nga zyrtarë policorë të Stacionit Policor ‘Jugu’ në Prishtinë e më pas lënda i ka kaluar hetuesve policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Dy të dyshuar: Sh.A., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar) dhe E.I., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar), si arkëtarë të një ndërmarrjeje, kanë deponuar në një nga bankat e kryeqytetit një shumë të parave prej 37 968 (tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) euro. Nga kjo shumë, dyshohet se 27 935 (njezet e shtatë mijë e nëntqind e tridhjetë e pesë) euro, janë të falsifikuar.

Parat që dyshohet të jenë të falsifikuara janë monedha metalike me prerje dy dhe një euro (13 746 x 2 = 27492 euro dhe 443 x 1=443 euro, pra gjithsej 27935 euro).

Njësia e forenzikës ka bërë sekuestrimin e monedhave që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe më pas të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të vërtetuar origjinalitetin e tyre.

Për rastin është njoftuar prokurori dhe me aktvendim të tij, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.