Shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin e rëndë në Prizren, është në rrezik për jetë


Mbrëmë në orët e vona është raportuar për një aksident të rëndë në afërsi të Kuvendit Komunal në Prizren, ku si pasojë ka mbetur i lënduar rëndë një 24-vjeçar. Sinjali ka mësuar detajet e reja se si ka ndodhur aksidenti dhe ato mund t’i lexoni më poshtë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur pasi 24-vjeçari që po lëvizte në rrugën ‘Shaban Jashari’, me të arritur në udhëkryqin përballë Komunës, nuk u ka dhënë përparësi kalimeve dhe si rrjedhojë vetura tjetër që po lëvizte në drejtim të qendrës së qytetit, në pamundësi për të frenuar e ka goditur veturën që dyshohet se nuk respektoi shenjat e trafikut.

Në aksident u përfshi edhe një veturë tjetër që po lëvizte po ashtu në drejtim të qendrës së qytetit, e cila për të shmangur goditjen me veturën paraprake, ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur shtyllën e ndriçimit publik.

Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kanë mbetur të lënduar katër persona, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.

Shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej, është transferuar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se 24-vjeçari ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetë në QKUK./GazetaSinjali/

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.