Sulmohet KFOR-i amerikan në Leposaviq, një veturë godet automjetin zyrtar dhe ikë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë kësaj jave ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës për të monitoruar nga afër situatën e cila javëve të fundit ka qenë e tensionuar, raporton Gazeta Sinjali.

E një veturë e KFOR-it amerikan në Leposaviq mbrëmë pak para mesnatës ka qenë cak i një sulmi nga persona të panjohur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një person ka shkuar me veturën e tij në drejtim të vendit ku po qëndronte patrulla e KFOR-it e më pas ka goditur automjetin zyrtar.

Sinjali mëson se shoferi që dyshohet se kreu këtë veprim është larguar në drejtim të panjohur dhe i njëjti ende nuk është identifikuar nga organet e hetuesisë.

Në kuadër të veprimeve hetimore është arritur që nga pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë të nxirret fotografia ku shihet personi i dyshuar dhe njësitë policore janë vënë në lëvizje që ta kapin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’.


Ndryshe, KFOR tha dje se pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen “nga shfaqjet provokuese të forcës”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, u tha në reagimin e KFOR-it.

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar ditëve të fundit, pasi që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngrenë barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet. Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.