Të Hënën është “Nata e Madhe e Beratit” që tregon afrimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit🌙

Ditën e Hëne, me datë 06.03.2023, është nata e madhe e Beratit.

Për të gjithë ata që duan ta përcjellin këtë ditë me agjërim, pra duhet të agjërohet dita e nesërme, dita e Marte, datë, 07.03.2023.

Syfyri mbyllet në orën 04:23 ndërsa Iftari hapet në orën 17:40.

Ndër netët e mëdha, të mira, të cilat janë të dalluara nga netët e tjera të vitit, e cila konsiderohet si nata e shpëtimit, e kërkimfaljes dhe e pendimit, është edhe “Nata e Beratit”.

“Berat” ka kuptimin “e pafajësisë”, “me u lirua nga ndonjë vështirësi a nga ndonjë bela”, “shpëtim nga ndonjë situatë e keqe”, “marrje e pafajësisë”.

Kjo natë e madhe, bie në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, që është muaji pararendës i Ramazanit. Ndryshe, quhet edhe Nata e gjysmës së Shabanit.

Në këtë natë, Allahu e cakton fatin e krijesave të gjalla për vitin tjetër. Natyrisht, fatin një krijese mund t’ia caktoj vetëm Ai i Cili edhe i ka dhënë jetën, Ai i Cili e ka krijuar. Kjo natë ua rikujton besimtarëve që të përgatiten sa ma shumë për pritjen sa më të mirë të muajit të Kuranit e të agjërimit, pra të përgatitën sa më mirë për Ramazan.

Me një rast tjetër, Ibni Maxhe, ka shënuar një hadith, i cili tregon se si Pejgamberi na ka udhëzuar që këtë natë ta kalojmë duke bërë ibadet: “Kur të vjen nata e 15-të e Shabanit, rrini sa ma shumë zgjuar (duke bërë ibadet), kurse ditën që e pason, agjëroni”.

Është e mirë ditur se në kohën e sahabëve, këtë natë ata e kanë kaluar me ibadet të shtuar, me lexim të Kuranit, me nafile namaz, me dua-lutje, me kërkimfalje-istigfar, me dhënie të sadakasë e me vepra tjera të dobishme. Krejt kjo duke u mbështetur në shpjegimet e Pejgamberit (a.s.) lidhur me rëndësinë e kësaj nate: “Kur të vij nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, kalojeni me ibadet e nafile-namaz, kurse ditën me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e Vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë:

“A ka kush që pendohet sonte dhe Unë ta fali?,

A ka kush që kërkon nafakë sonte dhe Unë t’i japë?,

A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim dhe Unë ta shërojë?,

A ka kush që kërkon sonte diç tjetër dhe Unë t’i japë?”,

Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme. (Transmeton Ibni Maxheh)

Pejgamberi (a.s.) e ka agjëruar muajin Shaban, e Natën e Beratit e kalonte edhe në ibadet, e për këtë ka porositur edhe ymmetin e tij. Lidhur me këtë, siç transmeton Dejlemiu, Pejgamberi i mëshirës, ka thënë: “Janë pesë kohë në të cilat duaja e drejtuar Allahut xh.sh. nuk kthehet, dhe ato janë: secila natë që i paraprinë ditës së xhuma, nata e parë e muajit Rexheb, nata e gjysmës së Shabanit (pra, Nata e Beratit) dhe netët që iu paraprijnë dy ditëve të Bajrameve”.

Nata e Beratit, e cila ndryshe quhet edhe. “Nata e faljes (amnistisë)”, na rikujton se jemi në prag të muajit Ramazan, sepse nga kjo natë deri në Ramazan, na ndajnë vetëm dy javë, kështu që, kjo natë sikur na ofron gëzim e kënaqësi dhe na shtynë të përgatitemi sa ma shumë e më mirë për pritjen e Muajit të agjërimit. Në fakt, kjo edhe ka qenë praktikë e Pejgamberit (a.s.), e familjes së tij dhe e as’habëve në përgjithësi.

Vet, – më i dashuri i Allahut, duke e ditur rëndësinë dhe vlerën e kësaj nate, si dhe rëndësinë që ka agjërimi i ditës që e pason këtë natë, – ka thënë: “Në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Sha’ban, të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, prandaj unë dëshirojë që veprat e mia të nxirren para Tij deri sa unë agjëroj”. (Trans. Nesaiu)

Kështu, muaji Rexheb është muaji i faljeve të gjynaheve, muaji Shaban është për pastrimin e zemrës, ndërkaq muaji Ramazan për t’iu afrua Allahut të Gjithëmëshirshëm.

(Tekst huazuar nga:Resul ef. Rexhepi)

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.