Vuçiqi e ndalon Paradën e LGBTI-së në Beograd

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se parada e shtatorit e krenarisë, e quajtur “EuroPride” nuk do të zhvillohet në Beograd.

Njoftimi i Vuçiqit vjen pasi mijëra njerëz marshuan në një protestë të zhvilluar kundër ngjarjes, në fillim të këtij muaji.

Ai ka thënë se nuk ishte i kënaqur me vendimin, por se Serbia duhet të përqendrohet në çështje të tjera, duke përfshirë telashet me Kosovën, raportoi BBC të shtunën.

Ndërsa, organizatorët e paradës kanë thënë se parada do të zhvillohet gjithsesi, me çdo ndalim.

Gjatë një konference për shtyp, Vuçiqi ka thënë se ngjarja e sivjetshme – e planifikuar të mbahet midis 12 dhe 18 shtatorit, do të “shtyhet ose anulohet” për shkak të “tensioneve të fundit me Kosovën”, si dhe për çështjet me energjinë dhe ushqimin.

“Thjesht, në një moment, nuk mund të përballosh gjithçka. Në një kohë tjetër, një më të lumtur, ngjarja mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Organizatori i EuroPride 2022, Marko Mihailoviq , tha se “shteti nuk mund ta anulojë EuroPride” dhe se çdo përpjekje për ta bërë këtë do të ishte një “shkelje e qartë e Kushtetutës”.

Më parë këtë muaj, mijëra njerëz marshuan në Beograd kundër “EuroPride”, duke mbajtur tabela që shkruanin “për të mbrojtur familjen” dhe “mbaj duart larg fëmijëve tanë”.

Partitë e ekstremit të djathtë e kanë dënuar ngjarjen dhe peshkopi i Banatit, Nikanor, nga Kisha Ortodokse Serbe, tha se do të “mallkojë të gjithë ata që organizojnë dhe marrin pjesë në diçka të tillë”.

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.