Analisti serb: Kemi një mendim negativ për gjermanët dhe turqit, të cilët e kanë armatosur FSK-në po ashtu 🇹🇷 kazermën e kanë emërtuar ‘Sulltan Murat’

Turqia më 10 tetor ka marrë zyrtarisht përsipër komandën njëvjeçare të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në një periudhë kur harku i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, posaçërisht pas sulmit terrorist të 14 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Vlade Raduloviç, analist ushtarak, në një prononcim për portalin serb “Quick News“, ka shprehur shqetësimin e tij se nën komandën e gjeneralmajorit turk, Ozkan Ulutas, paqeruajtësit e KFOR-it nuk do të tregojnë dashamirësi ndaj serbëve sikurse, sipas tij, pjesëtarët e kontigjentit hungarez apo italian të KFOR-it, derisa në këtë drejtim ka paragjykuar edhe rolin e Gjermanisë.

“Për shkak të marrëdhënieve të mira ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, kontingjenti hungarez i KFOR-it ka qenë i rëndësishëm për ne vitet e fundit. Po ashtu ushtarët italianë kanë treguar dashamirësi ndaj nesh sepse para së gjithash kanë ruajtur manastiret serbe dhe objektet e trashëgimisë kulturore”, ka vlerësuar Raduloviç.

“Para së gjithash, ne kemi një mendim negativ për gjermanët dhe turqit, të cilët në periudhën e kaluar kanë armatosur Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Po ashtu, turqit një kazermë e kanë emërtuar ‘Sulltan Murat’, që shumë serbë e interpretojnë sikur mesazh simbolik se janë në anën e shqiptarëve”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Gjeneralmajori Ulutas ka pranuar komandën njëvjeçare mbi misionin e KFOR-it nga gjeneralmajori italian, Michele Angelo Ristuccia, javën e kaluar në një ceremoni në Prishtinë. Kjo do të jetë gjithashtu hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë po stërvitet në Kosovë dhe Rumania ka njoftuar gjithashtu për dislokimin e rreth 130 ushtarëve në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Nga ana tjetër, Aleksandër Rastoviç, historian serb, ka shprehur gjithashtu shqetësimin për ristrukturimin e KFOR-it, jo me komandën e Turqisë por me rritjen e prezencës së usharakëve nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët, sipas tij, nga përfundimi i luftës në vitin 1999, janë sjellur në mënyrë të njëanshme.

“Anësia e atyre njësive ishte shfaqur edhe në vitin 1999, kur ushtria dhe policia jugosllave ishin tërhequr nga Kosova sipas Marrëveshjes së Kumanovës. Në vend që të kishin objektivitet ndaj të gjithë qytetarëve, ata janë sjellur në mënyrë të njëanshme, gjegjësisht kanë favorizuar shqiptarët në raport me popullin serb, i cili më pas ka filluar të emigrojë masivisht”./AP

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.