Kosovës i ka mjaftuar vetëm lutje për Pakistanin, derisa e gjithë bota është solidarizuar me shtetin i cili humbi mbi 1.200 persona nga përmbytjet

Pakistani shteti i cili e ka njohur Kosovën është përfshirë nga një katastrof e madhe natyrore ku humbën jetën mbi 1200 persona.
Por në krahasim me shtetet e tjera që janë solidarizuar me këtë shtet Kosovës i ka mjaftuar vetëm një deklaratë nga kryeministri Kurti i cili ditë më parë ka thënë se do të lutet për popullin e Pakistanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe populli i saj janë duke u lutur për popullin e Pakistanit, pas përmbytjeve të mëdha që janë duke ndodhur atje.
“Teksa reshjet po vazhdojnë në Pakistan, ne po e marrim me pikëllim të madh lajmin e përmbytjeve shkatërruese”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe populli ynë po luten për popullin e Pakistanit, duke u përballur me fatkeqësinë e tyre më të rëndë natyrore në dekada”, ka shkruar Kurti.
Nëntëmbëdhjetë persona të tjerë, përfshirë nëntë fëmijë, humbën jetën nga reshjet dhe përmbytjet në gjithë Pakistanin në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 1.200, sipas statistikave zyrtare të publikuara, transmeton (AA).
Gjithsej 1.208 njerëz kanë vdekur, përfshirë 416 fëmijë, dhe 6.082 janë lënduar, kur vendi u godit rëndë nga shirat e dendur dhe përmbytjet pasuese, tha Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA).
Reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet kanë prekur mbi 33 milionë njerëz në 80 rrethe në të gjithë vendin, tha NDMA.
Shirat e vazhdueshëm dhe përmbytjet e furishme kanë shkatërruar tashmë një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe tokave bujqësore në të gjithë vendin, duke përfshirë dhjetëra mijëra shtëpi, rrugë dhe ura.
Sipas NDMA-së, 472.313 njerëz janë zhvendosur në kampe të strehimit, kurse 121.630 njerëz janë evakuuar nga zonat më të prekura.
Përmbytjet e mëdha kanë shkaktuar gjithashtu dëme në mbi 1,17 milion shtëpi, prej të cilave 436.307 janë shkatërruar plotësisht. Fatkeqësia ka shkaktuar po ashtu ngordhjen e mbi 733 mijë kafshëve.
Ndërkohë, ndihma humanitare për Pakistanin pas përmbytjeve shkatërruese ka vazhduar nga i gjithë bota.
Një tjetër avion turk me ndihma u ul në aeroportin ndërkombëtar Jinnah të Karaçit të enjten mbrëma.
Ky është dhjeti nga fluturimet e tilla nga Turqia që transportojnë tenda, pako ushqimore, ushqim për fëmijë, batanije dhe mallra të tjera ndihmash.