Policia kap në Marash të Prizrenit disa vajza e djem me marihuanë dhe ekstazi

Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Prizren dhe në gjithë Kosovën. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Raste të tilla janë zbuluar mbrëmë në Marash të Prizrenit, kur disa njësi policore zbarkuan aty, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se pesë persona janë kapur me substanca narkotike pasi fillimisht u ndaluan nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë 2 vajza dhe tre djem, tek të cilët pas kontrollit policor u gjetën disa qese me marihuanë e disa paketime me ekstazi dhe prova të tjera që do të përdoren kundër të dyshuarve.

Për shkak të posedimit të këtyre substancave, pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar për veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të dhënies së deklaratave, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast, për secilin veç e veç për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.