Policia mbush arkën e shtetit me mbi 21 mijë euro, vetëm dje dënoi 618 qytetarë që nuk respektuan masat antiCOVID

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja në luftimin dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit, masa këto të cilat kanë hyrë dje në fuqi dhe do të zgjasin deri më 4 shkurt 2022.

E, Policia e Kosovës ka vazhduar me kontrollet e rrepta me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, sigurisë në trafik si dhe zbatimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, shkruan Telegrafi.

Në kuadër të këtyre inspektimeve, policia ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar 618 tiketa në bazë të ligjit COVID-19.

Nëse të gjitha këto tiketa janë shqiptuar për mos vendosje të maskës, atëherë i bie që policia ka mbushur arkën e shtetit me 21 mijë e 630 euro vetëm brenda një dite.

Bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, qytetarët që nuk e respektojnë vendimin për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, dënohen me gjobë deri në 200 euro.

Për persona juridikë, gjoba është 500 euro. Ndërkohë, gjoba për ata që nuk i vendosin maskat dhe nuk e mbajnë distancën fizike është 35 euro.

Kujtojmë se me masat e reja, ora policore për qytetarët nis nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Qytetarët janë të obliguar që të bartin maskën, pavarësisht vendit në të cilin ndodhen, ndërkaq lokalet e gastronomisë do të jenë të hapura deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohet deri në 20:30.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.