Reagim ndaj shkrimit te djeshëm tendencioz të z Lulzim Peci (Drejtor i KIPRED) për mbulesen e vajzave!

I nderuar Peci, mendësia juaj vetëm Perëndimore nuk mund të quhet!
Në shkrimin tuaj tejet tendencioz dhe fyes për komunitetin musliman, që i bije për shumicën apsolute të këtij populli, e sidomos për femrën muslimane shqiptare dhe jo vetëm, ju keni shfaqur ide tipike të sistemit të kaluar monist dhe assesi jo ide që përkojnë me idetë liberale, demokratike dhe sidomos idetë që mbrojnë të drejtat e njeriut e edhe më pak të drejtat e grave! Ajo që më së shumti më habiti në këtë rast ishte çasja juaj tejet ekstreme dhe diktatoriale ndaj një kërkese legjitime dhe nga më të thjeshtat që i ka tejkaluar që moti Lindja dhe Perëndimi e me të cilën komuniteti musliman dhe femra muslimane kosovare rropatet dhe hargjon energji, të cilën ishte dashur ta hargjoj në të tjera projekte prosperuese për vendin dhe popullin tash e sa vite, dhe vazhdon të hasë në vesh të shurdhër mu për shkak të mendësisë së ngjashme me tuajen, e e cila është instaluar në institucionet tona shtetërore dhe e cila vetëm me mendësi Perëndimore nuk ka të bëjë. Si nuk ju vie turp të deklaroni e të pohoni se: “Po që se Qeveria vendos pro kësaj kërkese, me këtë karakteri sekular i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë”. Si mund ta thoni këtë, kur të gjithë e dimë se gjithë ato shtete Perëndimore që e kanë lejuar shaminë dhe shumë të ngjashme me të edhe për religjionet tjera, asnjëra nga to nuk ka vërejtur se me ato akte kanë goditur në themel karakterin laik sekular të vendeve te tyre?! Ndërsa sa i përket identitetit shqiptar, por edhe të atij gjerman, amerikan apo turk…- jeni i pari “hulumtues” që sekularizmin e llogarisni si shtylle mbajtëse të identitetit shqiptar! Do kenë punë me ju sociologët të sqarojnë këtë “shtyllë” të re të kombeve…
Se çfarë agjende po shtyjmë ne, jo të paktet gjithandej vendit, po e themi troq dhe pa ekuivoke vazhdimisht, se kjo është kërkesa jonë legjitime për një të drejtë elementare, për të i’u mundësuar vajzave muslimane kosovare me mbulesë mësimi në shkollat tona, sikurse edhe të gjitha vajzave tjera. Pyetja legjitime e çdonjërit lexues të shkrimit tuaj tendencioz duhet të jetë: “Ne fakt, ju çfarë agjende jeni duke shtyrë me këto akuza dhe ofendime të komunitetit fetar shumicë dhe sidomos ndaj femrave të këtij komuniteti?! Agjenda e juaj duket të jetë tipike enveriste dhe e cila vetëm me këtë kohe nuk ka të bëjë, dhe të njejtën e kamufloni edhe me një dozë te islamofobisë bashkëkohore duke akuzuar në mënyrë donkishotiane mullinjtë e erës me islamin politik, sepse ky ndoshta më shumë i bindë edhe islamofobët që qeshën me konstatimet tuaja të lartcekura që as ata nuk i bindin.” Pa dashur që ta komentoj çdo pasus të shkrimit tuaj i cili lëvizë “sa në Shkup e sa në Shkodër” sot po mjaftohem me kaq dhe me shpresë se përgjegjësit tanë institucional do t’i thërrasin mendjës dhe përfundimisht do e lirojnë këtë shoqëri nga këto debate të panevojshme, duke e anuluar udhëzimin administrativ famëkeq që ndalon bartjen e shamive në shkolla.
Paqe e mirësi!

Husamedin Abazi

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.