Sot nis greva e sektorit publik, sindikalistët s’u morën vesh me institucionet

Sot fillon greva e përgjithshme e sektorit publik. Sindikalistët nuk kanë arritur të merren vesh me institucionet për të parandaluar grevën e parandaluar më parë.

Kryetari i këshillit grevist të BSPK-së, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.

Ai për KosovaPress ka thënë se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, derisa i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë thirrje të mërkurën që anëtarët të marrin pjesë në komisione dhe administrim të provimit të maturës shtetërore, që do të mbahet të shtunën.

“Këshilli Grevist i SBASHK-ut bashkërisht edhe me kryetarin e SBASHK-ut falënderuan z.Samir Shahini për bashkëpunimin e deritanishëm dhe duke pas parasysh se ky bashkëpunim duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen si dhe duke pas për bazë edhe interesin e nxënësve maturant dhe pas konsultimeve edhe me kolegët sindikalist nga tereni, vendosi që të iu sugjeron të gjithë anëtarëve të SBASHK-ut të cilët janë të caktuar për pjesëmarrje në monitorim të procesit të provimit të maturës shtetërore që të marrin pjesë duke e njoftuar opinionin e gjerë dhe anëtarësinë se ky do të jetë veprimi i fundit që do të bëjmë aktivitete gjatë kohës sa zgjatë greva”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje në një konferencë për media ka thënë se është koha për punë dhe jo për greva.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse… Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatum. Duam që të vazhdoj dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”, ka thënë ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.

Ndërkaq sot në ora 10:00 Këshilli Grevist i BSPK-së do të vizitojë çerdhen “Yllkat”, ndërsa më pas do të takojë grevistët e Administratës Komunale në Kosovë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.