Buxheti i 2023, Kurti thotë se ka më shumë për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar 64 deputetët e Kuvendit që në seancën e sotme ngritën dorën duke i dhënë mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin 2023.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se ky buxhet reflekton prioritetet e programit qeverisës nga i cili përfiton qytetari dhe republika.

“64 vota PËR në parim për buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023. Falënderoj secilin deputet dhe secilën deputete që përmes votës së tij dhe të saj i dha sot mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin e ardhshëm që reflekton prioritetet e programit qeverisës e nga i cili përfiton qytetari dhe Republika”, ka shkruar kryeministri.

Shefi qeveritar ka numëruar fushat të cilat do të përfitojnë nga ky buxhet 3.2 miliardësh, ndër to ka thënë se do të ketë më shumë për ushtrinë dhe policinë e më shumë edhe për për rezervat shtetërore.

“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin”, ka shkruar kryeministri.

Me këtë buxhet sipas kryeministrit do të bëhet më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe.

“Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për Komunat”, ka shkruar kryeministri.

Kurti ka thënë se buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.