Përdorues i karrocës padit Komunën e Prishtinës, kërkon mbi 320 mijë euro dëmshpërblim për shkak të mungesës së qasjes fizike në rrugët e kryeqytetit

Faruk Kukaj, person me nevoja të veçanta po kërkon 321 mijë euro dëmshpërblim nga Komuna e Prishtinës, për shkak të diskriminimit.

Avokati Sylejman Klinaku, mbrojtës i Faruk Kukaj, që e përdor karrocën, në fjalën e tij përfundimtare qëndroi prapa padisë dhe kërkoi nga gjykata që të paguajë dëmshpërblim për dhimbje shpirtërore dhe pagë minimale mujore për një shoqërues për paditësin. “Kërkojmë nga gjykata, që e paditura të paguaj dëmshpërblimin për karrocë prej 150 euro, një pagë minimale për shoqërues prej 250 euro në muaj dhe që nga viti 2015 gjithsej 21 mijë euro, kurse për dhimbje shpirtërore 300 mijë euro” – tha avokati Klinaku.

Ndërsa avokati Burim Azemi, që përfaqëson Komunën e Prishtinës kundërshtoi pretendimet e paditësit Faruk Kukaj, me konstatimin se në këtë rast nuk ka diskriminim. “Ne nuk konsiderojë se kemi të bëjmë me diskriminim të asnjë lloji, kemi kundërshtuar të gjitha ekspertizat në këtë gjykim dhe për shkak të bullizimit që ia bëjnë qytetarët, nuk është përgjegjëse e paditura, dhe nuk mund të ia m’veshin të paditurës” – tha avokati Azemi në fjalën e tij përfundimtare.

Sipas padisë, Faruk Kukaj, si person me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzues i karrocës si mjet për lëvizje, për shkak të mungesës së kushteve fizike në trotuaret e Prishtinës, nuk ka qasje të duhur për të lëvizur lirshëm në rrugët e qytetit.

Për shkak të mungesës së qasjes fizike, joadekuate në rrugët/trotuaret, me të cilat hapësira, menaxhon e paditura (Komuna e Prishtinës), konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike.Pasi që rrugët të cilat Kukaj i frekuenton janë të patejkalueshme për të, si përdorues i karrocës, ai pretendon se është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet padrejtësisht ndryshe nga të tjerët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas Kukajt, Komuna e Prishtinës duke mos rregulluar infrastrukturën ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, me ç’rast kjo është në mospërputhje me Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Tutje në padi thuhet se, Kukaj gjithnjë ka nevojë për asistencë të së paku dy personave, në mënyrë që të arrijë në vendin e duhur, kjo për shkak të qasjes që nuk ofrohet nga Komuna e Prishtinës. Me këtë Kukaj pretendon se Komuna e Prishtinës, jo vetëm që e ka trajtuar ndryshe por dhe i ka humbur mundësinë që ai të jetë pjesë e shoqërisë.Në padi thuhet se Kukaj ndjehet i ofenduar për shkak të cenimit të dinjitetit njerëzor dhe po ashtu pretendon se Komuna e Prishtinës ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.

KALLXO

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.