Organizata që këshilloi disa parti politike dhe shoqata në Kosovë është edhe autori i draftit të Asociacionit

Instituti gjerman Friedrich-Ebert-Foundation (FES) ka përgënjeshtruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se drafti për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është hartuar nga FES në Beograd.

Në një përgjigje për Gazetën Express, kreu i këtij instituti në Prishtinë, René Schlee, ka thënë se dega në Prishtinë është autore e draftit të publikuar në media, duke shtuar se ai draft është version i vjetërsuar dhe se janë duke punuar për ta kompletuar atë.

“Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Është i njëjti draft [si ai i publikuar në media], por një version i vjetërsuar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta bëjmë atë të qasshëm për publikun”, tha Schlee.

Ai tha se FES i Beogradit nuk ishte përfshirë në hartimin e draftit, përveç ndonjë ndihme logjistike.

“Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere në Beograd ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”.

Kjo përgjigje e Schlee demanton Vuçiqin, i cili dje tha se është hartuar në Beograd nga organizata gjermane gjatë një takimi me organizatat serbe.

“Teksti me kompetencat e Asociacionit të komunave serbe është propozuar nga organizatat gjermane që patën një takim në Beograd me përfaqësues të disa organizatave vendëse”, kishte deklaruar Vuçiq për TV Prva.

Këtë që e tha dje Vuçiq, e kishte raportuar më 29 shtator edhe mediumi i afërt i tij. Por, FES e kishte cilësuar si lajm të rremë.

“Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Europian i Paqes dëshirojnë të hedhin poshtë pretendimet e bëra nga Večernje Novosti në artikullin e sotëm që i referohet punës sonë. Dy organizatat tona nuk kanë marrë asnjë kërkesë apo mandat nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak, qeveria gjermane apo ndonjë palë tjetër për të hartuar një statut për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, kishte qenë demanti i FES-it.

Schlee në përgjigjen e fundit thotë se hartimi i draftit po bëhet plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Qëllimi i dokumentit është krijimi i një draft-statuti për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kosovë që është plotësisht në përputhje me kornizën ligjore dhe të rregullt të Kosovës, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë çështje”.

Për këtë draft sot ka folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se lajmi në media është i rremë dhe se asnjëherë nuk iu është dorëzuar institucioneve të Kosovës.

Sipas saj, nuk do të ketë Asociacion i cili do të bie ndesh me Kushtetutën, duke shtuar se kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë nuk është kusht për themelimin e Asociacionit.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.